DITA E FLAMURIT,DITA E PAVARËSISË, DITA E PËRGJEGJëSISË…
(28 Nëntor 1912 – 28 Nëntor 2007)
“Ky komb nuk mësohet e nuk kulturohet nëpërmjet lavdit, por nëpërmjet kritikës”.
– Faik Konica
28 Nëntori-Dita e Flamurit, është një nga ditët më të rëndësishme, në mos më e rëndësishmja, e historisë sonë kombëtare…
Dita e Flamurit është dita më e gëzueshme, është dita më e vajtueshme për shqiptarët, sepse kjo ditë është Dita e Pavarësisë së Nënës Shqipëri, por pa Kosovë, pa Çamëri…
Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë, duhet të jetë edhe Dita e Përgjegjësisë, për Çdo shqiptar…Pse? Sepse:
Në Ditën e Flamurit, në Ditën e Pavarësisë, përveç gëzimit, përveç vajtimit, secili duhet të bëjë edhe llogari, me përgjegjësi, t’a pyesë veten: Ç’bëri gjatë një viti për Kosovën, Çamërinë, për Shqipërinë…?
Me 28 Nëntor 1912, u ngrit në qytetin e Vlorës, nga dora Ismail Qemalit, Flamuri Kombëtar…
Flamuri Kombëtar u ngrit mbas katërqind e sa vjetësh…
Flamuri Kuq e Zi është flamuri më i vjetër në Ballkan, ndër më të vjetrit n’Evropë…
Flamuri Kombëtar është flamuri i Skenderbeut, por pas vdekjes së tij “vdiq” edhe flamuri, sepse u harrua…
Pas një harrese prej katërqind vjetësh, e zbuloi një student shqiptar. Studenti shqiptar ishte Faik Konica…
Faik Konica, zbuluesi i flamurit kombëtar, themeluesi i kritikës shqiptare, atdhetari i devotshëm, ambasadori i Shqipërisë në Uashington (1926-1939),kur vdiq, me 1942, u harrua…Jo vetëm që u harrua, por edhe iu mohua, iu ndalua të varroset në Shqipëri deri sa vdiq komunizmi…, edhe pse kishte paguar edhe vendin, edhe pse ia kishte kushtuar jetën Shqipërisë…
Mjerisht, kjo nuk i ndodhi vetëm Faik Konicës. Kjo tragjedi u ndodhi edhe atdhetarëve më të njohur, më të mëdhenj të kombit, siç ishin: Mid’hat Frashëri, Mustafa Kruja, Dhimitër Berati, të cilët ishin edhe nënshkrues të Dokumentit të Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, krahas Ismail Qemalit, Vehbi Efendi Dibrës. Luigj Gurakuqit…
Kjo u ndodhi edhe shumë atdhetarëve të tjerë, deri në ditët tona…
Prandaj, Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë duhet të jetë edhe Dita e Përgjegjësisë…!
Në Ditën e Flamurit, nga ballkoni i shtëpisë së Xhemil Beut, Ismail Qemali mbajti një fjalim të shkurtër para popullit të Vlorës dhe rretheve të tjera, ku ndër të tjera, dy herë e përmendi Zotin, e tha: “Deshi Zoti, që me punën tonë, trimërinë dhe guximin e pashoq të shqiptarëve, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut tonë, sepse këtu e tutje, jemi të lirë, të pavarur dhe më vete, prandaj, qeshni dhe gëzohuni!”.
Ismail Qemali, duke e përfunduar fjalimin e Ditës së Flamurit, tha: “Ja, pra, ky është flamuri ynë! I kuq e me shqiponjë dykrenare në mes. Dhe tani të gjithë bashkohuni si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për ta përparuar e për ta qytetëruar, si i ka hije Atdheut tonë të lirë. Duke përfunduar, nuk më mbetet tjetër gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Math për bekimet e Tij…”.
Mjerisht, mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut tonë nuk përfunduan me Shpalljen e Pavarësisë, por ato u shtuan mbrenda e jashtë Shqipërisë…!
Shqiptarët nuk arritën të bashkohen, si një trup i tërë dhe i pandarë, nuk punuan sa duhet për ta përparuar e për ta qytetëruar Atdheun…
Tragjedia më e madhe e kombit ishte sundimi komunist-ateist gjysmëshekullor…Të ishe atdhetar, fetar, i ditur, i ndershëm, ishte rrezik…Shumica e shqiptarëve nisi të jetonte jashtë vetes…
Heminguej tha: “Kur nis të jetosh jashtë vetes, gjithçka është e rrezikshme”.
U bënë gabime të mëdha, përjetuam fatkeqësi të vazhdueshme…Gjithë fatkeqësitë e gabimet, sipas Sokratit, vinin ngaqë njerëzit nuk zotëronin dije të mjaftueshme…
Dije e mjaftueshme është Dija Hyjnore…Sipas Lesingut, qëllimi i fundit i diturisë është e vërteta. E Vërteta është Zoti. Zoti është e Vërteta Absolute…Ai, qoftë lavdëruar, e ka shpallur të Vërtetën me argumente…
Në Kur’an shkruan: “Ata të cilët nuk besojnë në argumentet e All-llahut, All-llahu nuk do t’i drejtojë në rrugë të drejtë; ata i pret vuajtje e padurueshme.” (Kur’ani, 16:104)
Kujt i besuam ne?! Pse vuajtëm? Pse po vuajmë ? Pse me ne po luajnë? Prandaj kështu jemi dhe kemi ashtu qysh jemi…!
Vlera e njeriut, thoshte Renani, është sa mëson dhe sa dashuron. Mësimet rreth Zotit, dashuria për Zotin është çelësi hyjnor për jetë të lumtur e të suksesshme!
28 Nëntori, Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë së Nënës Shqipëri, por pa Kosovë e Çamëri…!Por, me besim në Zotin, me përpjekje të vazhdueshme, çdo gjë është e mundshme…! Siç ishte e mundshme dalja publike më 28 Nëntor 1997 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Llaushë, në ditën e varrimit të mësuesit dëshmor, Halit Gecit, vrarë nga policia serbe…Siç ishte e mundshme që komandanti i UÇK-së, Adem Jashari, të lindet më 28 Nëntor …!
Për mendjen e kufizuar njerëzore është rastësi që komandanti Adem Jashari u lind në Ditën e Flamurit, në Ditën e Pavarësisë, më 28 Nëntor 1955, por nuk është rastësi për Zotin, Krijues, Planifikues e Zhvillues i çdo krijese, që jeta e tij, vepra e tij dhe rënia e tij të bëhet, shembull trimërie, burrnije, qëndrese, shprese, rreze lirie, simbol pavarësie!
Kryetari i Çekisë, Haveli, thoshte: “Shteti është krijim i njeriut, ndërsa njeriu është krijesë e Zotit”. Zoti nuk krijon asgjë rastësisht…Ai i fali Shaban Jasharit, në Ditën e Flamurit, në Ditën e Pavarësisë, Ademin, më 28 nëntor 1955, shembullin ringjallës të shqiptarisë…
28 Nëntori – Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë, ditëlindja e Adem Jasharit, krenaria e shqiptarit, shembulli i qëndresës, simboli i shpresës …
Me hajr, për hajr ditëlindja e 52-të, o Adem Jashari! Për hajr edhe Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë…! Ti e pate ndjenjën e përgjegjësisë, ti e pate guximin dhe besimin për të njohur vetveten, për të njohur Kosovën, për të njohur Zotin…
Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë le të jetë edhe Dita e Përgjegjësisë, për të njohur vetveten, që është hapi i parë për të njohur Zotin, i cili na fali edhe një argument, në Ditën e Flamurit, na fali Adem Jasharin, që me Jasharët t’i falin Kosovës një Diell…
Një Diell, që me besim në All-llahun, Zotin, Perëndinë, ka m’e ndriçuar ardhmërinë… Amin!
No comments:
Post a Comment